Ngjarja ndodhi në fillim të shkurtit në lagjen “Kodra e Priftit”, ku një konflikt i papritur mes babait dhe djalit 37-vjeçar përfundoi në tragjedi.
Një ngjarje e rëndë tronditi Tiranën në 1 shkurt 2025, kur një 74-vjeçar vrau me thikë djalin e tij pas një zënke në banesën familjare. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet, duke ngritur akuzën për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” ndaj Hekuran Gjonit, autorit të ngjarjes që i mori jetën djalit të tij, Asim Gjonit, 37 vjeç.
Sipas dosjes hetimore, pas një debati verbal mes tyre, i moshuari e kishte goditur fillimisht djalin me shpullë dhe më pas kishte marrë një thikë buke nga tavolina, duke e plagosur rëndë në krahun e majtë. Goditja rezultoi fatale, pasi Asimi humbi jetën pak minuta më vonë, pavarësisht përpjekjeve të familjarëve për ta ndihmuar. Në vendin e ngjarjes policia gjeti gjurmë gjaku dhe shenja të qarta përpjekjesh për të ndaluar hemorragjinë.
Në dëshminë e dhënë, 74-vjeçari është shprehur i penduar, duke thënë se gjithçka ndodhi në çast zemërimi dhe pa vetëdije. Hetimet zbuluan se familja kishte pasur tensione të vazhdueshme pas ndarjes së shtëpisë mes djemve, si dhe përplasje të herëpashershme mes Hekuranit dhe nuses së viktimës, Trëndafiles.
Dëshmitë e familjarëve tregojnë se viktima njihej për natyrën e tij të qetë dhe shpesh bënte shaka me të atin, por ato herë-herë shkaktonin nervozizëm tek i moshuari. Djali tjetër i autorit, Valentin Gjoni, ka rrëfyer se në momentin e ngjarjes ndodhej në katin e tretë të banesës dhe është njoftuar nga motra dhe nëna për sherrin që kishte shpërthyer në katin poshtë. Kur ka zbritur, Asimi ishte i plagosur rëndë, ndërsa familjarët përpiqeshin t’i ndalonin gjakun.
Ngjarja ka lënë pasoja të rënda emocionale në familje, ndërsa Hekuran Gjoni ndodhet në paraburgim në pritje të gjykimit.
