Operacioni i koduar “Operacionalja 70” çoi në pranga Nelson Shehun, të shpallur në kërkim nga Gjykata Themelore e Gjakovës për kultivim të bimëve narkotike. Ai pritet të ekstradohet drejt Kosovës.
Policia e Shtetit ka vënë në pranga në Tepelenë 44-vjeçarin Nelson Shehu, i cili ishte në kërkim nga autoritetet e Kosovës për veprimtari të paligjshme në fushën e narkotikëve. Arrestimi i tij u bë pas një operacioni të mirëorganizuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në kuadër të aksionit të koduar “Operacionalja 70”.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata Themelore e Gjakovës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Pas lokalizimit të tij në qytetin e Tepelenës, forcat e policisë ndërhynë duke e ndaluar dhe shoqëruar menjëherë në komisariat.
Burime nga hetimet bëjnë të ditur se 44-vjeçari do të qëndrojë nën mbikëqyrjen e autoriteteve shqiptare deri në përfundimin e procedurave ligjore për ekstradimin e tij në Kosovë, ku do të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura ndaj tij.
Policia theksoi se operacionet për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar do të vijojnë në të gjithë territorin e vendit.
