Rusia goditi gjatë natës kryeqytetin ukrainas me një seri dronësh, duke shkaktuar dëme të mëdha në tre pallate banimi. Midis të plagosurve janë edhe gjashtë fëmijë.
Një tjetër natë tragjike ka goditur Kievin, ku të paktën tre persona humbën jetën dhe mbi 27 u plagosën, mes tyre gjashtë fëmijë, pas një sulmi ajror rus me dronë. Lajmin e konfirmoi kryebashkiaku i qytetit, Vitali Kliçko, i cili u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në strehimore gjatë gjithë natës.
Sipas autoriteteve lokale, copëza dronësh ranë mbi një ndërtesë nëntëkatëshe në lagjen Desnjanski, duke shkaktuar zjarr në disa apartamente. Zjarri është shuar, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për të çmontuar strukturat e dëmtuara dhe për të kërkuar viktima të tjera të mundshme nën rrënoja.
Në të njëjtën zonë, një tjetër ndërtesë banimi u dëmtua rëndë, ndërsa pesë persona u shpëtuan nga zjarrfikësit. Dronë të tjerë goditën një pallat 16-katësh në lagjen Obolonski, duke dëmtuar disa apartamente, por pa shkaktuar shembje strukturash.
Autoritetet ukrainase raportuan se alarmi ajror në Kiev dhe rrethinat zgjati rreth një orë e gjysmë, përpara se të hiqej pas mesnatës. Ende nuk dihet shkalla e plotë e dëmeve që ka shkaktuar ky sulm.
Kjo goditje e re vjen një ditë pasi sulme të tjera me raketa dhe dronë rusë vranë katër persona, dy prej tyre në Kiev, dhe plagosën më shumë se një duzinë qytetarësh.
Ndërkohë, tensionet mes Moskës dhe Perëndimit vijojnë të rriten. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shpallën së fundmi sanksione të reja ndaj sektorit energjetik rus, ndërsa presidenti Vladimir Putin u shpreh se Rusia nuk do të përkulet nën presionin e Perëndimit.
Lufta e nisur në shkurt 2022 po hyn në vitin e saj të katërt, ndërsa mijëra civilë ukrainas kanë humbur jetën dhe qindra qytete janë shkatërruar nga bombardimet ruse që vijojnë pa ndërprerje.
