Armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA hyn në javën e tretë mes tensioneve në rritje. Një palestinez u vra dhe disa të tjerë u plagosën pas bombardimeve në kampin Nuseirat.
Situata në Rripin e Gazës mbetet e brishtë, ndërsa sulmet izraelite të natës së fundit kanë tronditur sërish armëpushimin e arritur nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara. Të paktën një palestinez është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pas një goditjeje ajrore në kampin Nuseirat, në pjesën qendrore të Gazës, larg zonave të pushtuara nga ushtria izraelite.
Banorët po përpiqen të rikthehen në ndërtesat e shkatërruara, por rreziku mbetet i lartë. Një ditë më parë, një fëmijë 9-vjeçar humbi jetën në Gaza City, kur një godinë e dëmtuar u shemb papritur mbi banesat përreth.
Në anën tjetër, presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se trupa nga Katari dhe vende të tjera mund të përfshihen në një mision ndërkombëtar stabilizues për Gazën, duke shtuar se procesi po ecën dhe udhëheqësit po zgjidhen aktualisht.
Ndërkohë, ministri izraelit i mbrojtjes Israel Katz ka urdhëruar ushtrinë të fillojë shkatërrimin e tuneleve në pjesën e kontrolluar nga Izraeli, duke theksuar se kjo është detyrë qendrore për sigurinë e vendit.
Zyrtarët lokalë të Gazës raportojnë se kufizimet ndaj hyrjes së automjeteve të rënda dhe materialeve ndërtimore po pengojnë përpjekjet për pastrimin e rrënojave dhe rindërtimin e infrastrukturës. Sipas kryebashkiakut të qytetit, për rindërtimin minimal duhen të paktën 250 mjete të rënda dhe mbi 1000 ton çimento.
Pavarësisht armëpushimit, frika e banorëve mbetet e thellë. “Pas çdo shpërthimi, kujtojmë se asgjë nuk ka mbaruar. Ne mund të kemi mbijetuar luftën, por nuk dimë nëse do t’i mbijetojmë paqes,” tha një banore e kampit az-Zawayda.
Tensionet në rajon mbeten të larta, ndërsa çdo incident i ri rrezikon të zhysë sërish Gazën në ciklin e dhunës që s’ka gjetur ende zgjidhje.
