 
        
Pas grabitjes spektakolare që tronditi muzeun më të vizituar në botë, autoritetet franceze kanë vënë në pranga dy persona të dyshuar për vjedhjen e tetë bizhuterive me vlerë të paçmuar.
Policia franceze ka arrestuar dy burra të dyshuar për përfshirje në grabitjen e bujshme të bizhuterive në Muzeun Luvër të Parisit, ngjarje që ndodhi një javë më parë dhe u cilësua si një nga vjedhjet më të shpejta dhe më të sofistikuara të dekadës.
Sipas mediave franceze Le Parisien dhe Paris Match, një nga të dyshuarit u ndalua mbrëmjen e së shtunës në aeroportin “Charles de Gaulle”, ndërsa po përgatitej të largohej jashtë vendit. Pak orë më pas, policia arrestoi edhe bashkëpunëtorin e tij në rajonin parizian.
Hetimet për këtë grabitje kanë qenë intensive që prej 19 tetorit, kur një grup i armatosur hyri në muze dhe grabiti tetë bizhuteri të rralla brenda vetëm katër minutash. Për të shmangur përplasjen me rojet, autorët përdorën maska dhe mjete për bllokimin e kamerave të sigurisë, ndërsa u zhdukën përpara se të mbërrinte policia.
Pas ngjarjes, “Louvre”, shtëpia e famshme e pikturës “Mona Lisa”, u mbyll për publikun dhe u rrethua nga forca të armatosura. Pamjet e ushtarëve që patrullonin përreth piramidës ikonike prej xhami u bënë simbol i alarmit të ngritur në kryeqytetin francez.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse pas grabitjes qëndron një rrjet ndërkombëtar tregtarësh arti dhe bizhuterish të vjedhura, ndërsa policia financiare ka përfshirë edhe INTERPOL në operacion.
Sipas burimeve të hetimit, pjesa më e madhe e bizhuterive mund të jetë ende në Francë, megjithëse ekziston mundësia që disa prej tyre të jenë trafikuar tashmë jashtë vendit.
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa muzeu pritet të rihapet për vizitorët në ditët në vijim.

 
         
         
         
        