Një analizë e re e shërbimeve të inteligjencës europiane ringjall frikën e një përplasjeje të drejtpërdrejtë me Moskën, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e përhapjes së konfliktit përtej kufijve të Ukrainës.
Një raport i fundit i shërbimeve të inteligjencës perëndimore ka tronditur opinionin publik në Evropë, duke paralajmëruar se brenda tre viteve të ardhshme, rreth 1000 ditë, kontinenti mund të përballet me një luftë të hapur me Rusinë.
Analisti politik dhe publicisti francez Mathieu Bock-Côté, në një editorial të publikuar në “Le Figaro”, thekson se edhe pse një paralajmërim i tillë mund të duket i ekzagjeruar, historia e viteve të fundit ka treguar se nënvlerësimi i ambicieve ushtarake të Kremlinit mund të ketë pasoja fatale.
Sipas tij, në vitin 2022 pak kush besonte realisht se Vladimir Putin do të urdhëronte pushtimin e plotë të Ukrainës, por ndodhi. Kjo duhet të shërbejë si mësim për skeptikët që sot nënvlerësojnë mundësinë e një konflikti të zgjeruar që mund të përfshijë shtetet baltike dhe vendet e NATO-s lindore.
Bock-Côté shkruan se Rusia mbetet një fuqi imperialiste dhe armiqësore ndaj pavarësisë së fqinjëve të saj, e cila i pranon vetëm nëse ato janë të nënshtruara ndaj saj. Kjo, sipas tij, është arsyeja pse vendet e Evropës Lindore zgjodhën të anëtarësohen në NATO, jo për ambicie imperialiste, por për mbijetesë.
Por autori paralajmëron gjithashtu për një tjetër rrezik: instrumentalizimin e frikës ndaj Rusisë nga qeveritë europiane për qëllime politike të brendshme. “Po, kërcënimi rus është real,” shkruan ai, “por po aq e rrezikshme është përdorimi i këtij kërcënimi për të justifikuar qëndrimin në pushtet me çdo kusht.”
Sipas tij, Evropa ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm: duhet të ruajë vigjilencën ndaj ekspansionizmit rus, por pa rënë në kurthin e histerisë që mund ta çojë vetë drejt luftës që pretendon ta shmangë.
Editoriali i Bock-Côté vjen në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar, teksa Rusia po thellon bashkëpunimin ushtarak me Kinën dhe Iranin, ndërsa NATO po zgjeron praninë e saj në kufijtë lindorë të Europës.
