Policia spanjolle ka sqaruar se vepra e rrallë “Natura morta me kitarë” e Pablo Picasso nuk ishte vjedhur, por harruar nga transportuesit në hyrjen e pallatit të koleksionistit. Një grua e kishte marrë gabimisht, duke menduar se ishte e harruar.
Një histori që nisi si një mister ndërkombëtar i artit është mbyllur në mënyrën më të pazakontë. Piktura “Natura morta me kitarë” (1919) e Pablo Picasso, e vlerësuar rreth 600 mijë euro dhe që besohej e zhdukur gjatë transportit nga Madridi drejt Granadës, është gjetur pas disa ditësh kërkimesh.
Sipas mediave spanjolle, transportuesit që kishin marrë përsipër dërgimin e veprës për ekspozitën “Natura morta: përjetësia e të pajetës” në fondacionin CajaGranada, e kishin harruar tablonë në hyrje të pallatit ku jeton koleksionisti privat që e zotëron.
Një grua, banore e të njëjtit ndërtesë, e kishte parë paketën të mbështjellë dhe, duke menduar se dikush e kishte harruar, e kishte marrë në banesën e saj për ta ruajtur. Vetëm kur lajmi për zhdukjen e pikturës shpërtheu në media dhe policia nisi hetimet, ajo kuptoi rëndësinë e saj dhe e dorëzoi menjëherë autoriteteve.
Policia kombëtare spanjolle ka konfirmuar se asnjë vjedhje nuk ka ndodhur dhe se vepra është rikthyer në gjendje të përsosur tek pronari i saj legjitim. Fondacioni CajaGranada ka falënderuar autoritetet për zgjidhjen e shpejtë të rastit dhe ka njoftuar se piktura do të përfshihet në ekspozitën e planifikuar, pasi të përfundojnë procedurat e verifikimit.
“Natura morta me kitarë”, e realizuar me teknikën e guashit dhe lapsit, me dimensione 12.7 x 9.8 cm, është një nga veprat e vogla, por të rëndësishme të periudhës së parë pas-kubiste të Picasso. Episodi i harrimit të saj, që për pak do të përfundonte në një skandal muzeal, është cilësuar nga mediat si “një nga gabimet më absurde në historinë e transportit të artit”.
