Sipas opozitës, kompania e vëllait të kandidatit të PS, Gramos Sako, ka përfituar miliona euro nga kontratat publike, ndërsa banorët e zonave të premtuara ende vuajnë mungesën e ujit.
Partia Demokratike ka ngritur akuza të forta ndaj kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë Tepelenë, Gramos Sako, duke e lidhur atë me përfitime të shumta nga kontratat publike të zhvilluara nga institucione vendore. Në një deklaratë për shtyp nga selia blu, zëdhënësja e PD, Genta Vangjeli, kërkoi ndërhyrjen urgjente të SPAK për hetimin e tenderave të dyshimtë të Bashkisë Tepelenë.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën Spending Data, kompania “2T shpk”, në pronësi të vëllait të Sakos, ka përfituar rreth 103 milionë euro nga kontratat publike, prej të cilave 1.8 milionë euro janë vetëm nga Bashkia Tepelenë, për projektet e ujësjellësit në Salari, Nivicë, Rexhinë dhe Peshtan. Megjithë fondet e mëdha, banorët e këtyre zonave raportojnë mungesë të ujit të pijshëm, ndërsa në Peshtan ujësjellësi thuhet se nuk funksionon prej pesë vitesh.
PD gjithashtu akuzon drejtues të tjerë të bashkisë për konflikte interesi, si në rastin e ish-drejtoreshës Arta Shaha, e cila sipas opozitës ka favorizuar bashkëshortin e saj në përfitimin e fondeve publike me vlerë 154 mijë euro.
“Këto janë prova të qarta të abuzimit me taksat e qytetarëve. Kandidati i PS ka treguar se prioritet për të nuk janë qytetarët, por tenderat e familjarëve,” deklaroi Vangjeli.
Në përfundim, Partia Demokratike i bëri thirrje tepelenasve të refuzojnë korrupsionin dhe klientelizmin që ka rrënjosur pushteti lokal socialist dhe të mbështesin kandidatin e opozitës, Gabriel Guman, në zgjedhjet e 9 nëntorit.
