Kreu i grupit parlamentar të PD thotë se zëvendëskryeministrja ka sajuar një udhëtim zyrtar për të mos u përballur me akuzat penale që po heton SPAK për shkelje në tendera publikë.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e akuzuar se po përpiqet të shmangë paraqitjen e saj në SPAK, ku pritet të njihet me akuzat penale që lidhen me shkelje në tendera publikë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi pretendon se Balluku ka inskenuar një udhëtim zyrtar drejt Bullgarisë, me qëllim shmangien e seancës në Prokurorinë e Posaçme. “Siç e kisha paralajmëruar, për të mos u paraqitur të hënën në SPAK, Belinda Balluku raportohet se ka organizuar një vizitë në Bullgari,” shkruan Bardhi.
Deputeti demokrat ironizoi situatën, duke thënë se në vend të përballjes me drejtësinë, Balluku mund të mbajë në Sofje një kurs të përshpejtuar për abuzimet me tendera publikë, duke përmendur disa çështje që sipas tij kanë shkaktuar miliona euro dëme për buxhetin e shtetit.
“Si të zhdukësh 50 milionë euro në tunelin e Llogarasë, si të përfitosh 180 milionë euro në shit-blerje energjie, si të përvetësosh miliona në ndërtimin e digave apo termocentraleve që s’u vunë kurrë në punë, këtë mund ta japë vetëm Belinda Balluku,” shkruan Bardhi.
Ai shtoi se përpjekjet e zëvendëskryeministres për të shmangur drejtësinë mund të vonojnë procesin, por jo drejtimin e tij. “Stacioni i fundit për të do të jetë SPAK, e më pas burgu i grave në Pojskë,” përfundon Bardhi me tone sarkastike.
SPAK pritet të njoftojë zyrtarisht në ditët në vijim mbi ecurinë e hetimeve që përfshijnë funksionarë të lartë të qeverisë në çështje tenderash dhe abuzimesh me fondet publike.
