Presidenti amerikan nis vizitën e tij zyrtare në Japoni përpara udhëtimit drejt Koresë së Jugut, ku pritet të takohet me presidentin kinez Xi Jinping, ndërsa marrëdhëniet tregtare janë sërish në qendër të vëmendjes.
Presidenti amerikan Donald Tramp mbërriti të hënën në Tokio, në kuadër të turit të tij tre-ditor në Azi, ku do të zhvillojë një takim me kryeministren e re të Japonisë, Sanae Takaichi, gruaja e parë që ka marrë këtë post në historinë japoneze. Vizita e tij në Japoni përkon me fillimin e mandatit të Takaichit, e cila pritet t’i dhurojë Trumpit një top të artë golfi dhe një set shufrash që i përkisnin ish-kryeministrit Shinzo Abe, mentorit të saj politik.
Tramp, i cili e konsideronte Abe një mik të afërt, u shpreh përpara gazetarëve në bord të Air Force One:
“Ajo është një mike e madhe e zotit Abe, i cili ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Ai e pëlqente shumë dhe e respektonte. Është një shenjë e mirë që po e ndjek trashëgiminë e tij.”
Takimi zyrtar me Takaichin do të zhvillohet të martën, ndërsa mbrëmjen e së hënës presidenti amerikan do të takohet me Perandorin e Japonisë.
Në bordin e Air Force One, Tramp foli gjithashtu për marrëdhëniet me udhëheqësit e tjerë botërorë. Ai njoftoi se do të vazhdojë udhëtimin drejt Koresë së Jugut, ku do të ketë një takim me presidentin kinez Xi Jinping, një takim që shihet si vendimtar për arritjen e një marrëveshjeje tregtare të re mes dy fuqive ekonomike.
“Jemi afër një marrëveshjeje që do të kufizojë dërgesat e fentanilit drejt SHBA dhe do të hapë tregjet kineze për produktet bujqësore amerikane,” deklaroi Tramp, duke shtuar se detajet e plota pritet të finalizohen të enjten, pak përpara kthimit të tij në Washington.
Në të njëjtën bisedë me gazetarët, presidenti amerikan la të hapur mundësinë e një takimi me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
“Nuk e kam përmendur ende, por do të më pëlqente të takohemi nëse edhe ai dëshiron. Do të jem në Korenë e Jugut, kështu që është e lehtë ta organizojmë,” u shpreh Tramp.
Udhëtimi në Azi është i gjashti për presidentin që prej rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë muajve të fundit, ai ka vizituar Vatikanin për funeralin e Papa Françeskut, disa vende të Lindjes së Mesme, samitin e G7-ës në Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar për një vizitë shtetërore të dytë historike.
Në fund të javës, Tramp pritet të përmbyllë vizitën në Azi me takimin e nivelit të lartë në APEC, ku përveç diskutimeve tregtare me Xi Jinping, ai pritet të shmangë takimin me kryeministrin kanadez Mark Carney, pas përplasjes mes dy vendeve për tarifat doganore.
Vizita e tij në Japoni, përveç rëndësisë diplomatike, është parë edhe si një rikthim simbolik i aleancës tradicionale SHBA–Japoni, e cila pas vdekjes së Shinzo Abes ka hyrë në një fazë të re, nën drejtimin e Takaichit.
