Publikohen dokumente që zbulojnë një konflikt të hapur interesi në zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ku përfshihet edhe punësimi i pastrueses së familjes në institucionin shtetëror
Një rast i rëndë abuzimi dhe konflikti interesi ka dalë në dritë në institucionin që duhet të garantojë transparencën dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Komisioneri Besnik Dervishi akuzohet se ka lejuar që kompania TOK Digital Agency, ku punon djali i tij, të përfitojë tenderë nga institucioni që ai vetë drejton.
Djali i Komisionerit, Daniel Dervishi, është i punësuar në TOK Digital Agency, ndërkohë që kjo kompani ka marrë mbi 8.4 milionë lekë nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale përmes 17 pagesave të përsëritura të kategorizuara si shërbime të tjera. Për më tepër, Daniel Dervishi ende nuk ka përfunduar studimet e tij, çka e bën situatën edhe më problematike.
Në deklaratën e interesave për vitin 2024, Daniel Dervishi ka raportuar të ardhura nga kjo kompani në vlerën e 355,200 lekëve, si dhe 20,000 lekë dhuratë monetare, ndërkohë që pagesat ndaj TOK Digital Agency përkojnë kohërisht me mandatin aktiv të të atit si Komisioner.
Rasti përbën një konflikt të qartë interesi, sipas ligjit nr. 9367/2005 Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike, i cili ndalon çdo situatë ku interesi privat i familjarëve ndikon në ushtrimin e detyrës publike.
Por skandali nuk ndalet këtu edhe pastruesja e shtëpisë së familjes Dervishi, e identifikuar si Albina, figuron në listë-pagën e institucionit shtetëror. Sipas burimit, ky punësim është bërë me ndërhyrje direkte dhe shërben për të justifikuar pagesa nga buxheti i shtetit për një person që kryen punë private në banesën e Komisionerit.
Ky rast ka ngjallur reagime të forta dhe kërkesa për hetim nga organet përkatëse. ILDKPKI dhe SPAK duhet të nisin menjëherë verifikimet për përfshirje të mundshme në shkelje të ligjit dhe shpërdorim të fondeve publike.
Rasti Dervishi shihet si një tjetër shembull i deformimit të institucioneve të pavarura në struktura klienteliste, ku fondet publike përfundojnë në xhepat e familjarëve apo rrethit të ngushtë të drejtuesve.
Në vend që të garantojë mbrojtjen e të dhënave dhe të drejtën e informimit, institucioni që drejton Besnik Dervishi po përballet me akuza për mungesë transparence, etikë dhe integriteti publik.
