Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca, është i vetmi nga 15 të pandehurit në çështjen e abuzimit me tenderat për supervizimin e katër komisariateve të policisë që nuk ka zgjedhur gjykimin e shkurtuar.
Përmes avokatit të tij, ish-deputeti socialist ka kërkuar të gjykohet me procedurë të zakonshme, duke kaluar çështjen në Gjykatën Penale Tiranë, pas humbjes së statusit të subjektit të veçantë.
Seanca gjyqësore e kësaj të hëne u shty për shkaqe procedurale, ndërsa çështja ka kaluar për gjykim në themel.
Plarent Ndreca akuzohet nga SPAK për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”. Procedurat e tenderit janë kryer gjatë kohës kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Sandër Lleshaj.
