Gjatë raportimit në Kuvend, kreu i SPAK tha se viti 2024 shënoi rritje të besimit publik dhe përparim në hetimet financiare e pasurore, duke përfshirë edhe rastet me kriptovaluta
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, paraqiti sot në Kuvend raportin vjetor të institucionit që drejton, ku nënvizoi se puna e SPAK ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e perceptimit publik ndaj luftës kundër korrupsionit.
Sipas Dumanit, në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024, Shqipëria është vlerësuar me 42 pikë, një rritje prej 5 pikësh krahasuar me vitin e mëparshëm. Ai theksoi se ky rezultat vjen si pasojë e rritjes së transparencës dhe forcimit të hetimeve të thelluara financiare.
Transparency International ka njohur rolin e SPAK në forcimin e besimit të qytetarëve, ndërsa institucionet vendase dhe ndërkombëtare kanë vlerësuar përparimin në fushën e drejtësisë dhe antikorrupsionit.
Dumani bëri të ditur se gjatë vitit 2024 është forcuar ndjeshëm sektori i hetimeve financiare dhe pasurore, duke u zgjeruar edhe në hetimet që përfshijnë veprime me kriptovaluta dhe pasuri të fshehura jashtë vendit. Me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë, SPAK ka miratuar një udhëzim të përgjithshëm që standardizon procedurat administrative për hetimet e kësaj natyre.
Raporti i Dumanit në Kuvend vjen në një moment kur puna e SPAK vlerësohet si një nga shtyllat kryesore të forcimit të shtetit ligjor në Shqipëri, duke u konsideruar si institucion kyç në garantimin e transparencës dhe llogaridhënies në administratën publike.
