Kira Cousins, e akuzuar për mashtrim publik dhe shpërdorim fotosh të fëmijëve të tjerë, dyshohet se ka inskenuar dy shtatzëni të rreme në dy vite radhazi
Një histori absurde që ka tronditur opinionin publik në Skoci po merr përmasa gjithnjë e më të çuditshme. Një 22-vjeçare nga Airdrie, Kira Cousins, është akuzuar se ka mashtruar familjen, miqtë dhe ndjekësit e saj në rrjete sociale duke inskenuar një shtatzëni dhe një lindje të rreme, duke përdorur një kukull plastike si “foshnjën” e saj.
Sipas mediave britanike, Cousins kishte veshur një bark të rremë për muaj të tërë, kishte publikuar foto nga kontrollet mjekësore, kishte organizuar një festë “gender reveal” dhe madje kishte shpërndarë foto të dhuratave për bebin, përfshirë një karrocë që kushtonte mbi 1000 paund. Ajo pretendonte se vajza e saj quhej Bonnie-Leigh.
Por akuzat nuk ndalen këtu. Një prej mikeve të saj në Facebook ka deklaruar për “MailOnline” se Kira ka bërë të njëjtën gjë edhe dy vite më parë, në vitin 2023. Sipas dëshmisë, ajo kishte përdorur foto të vjedhura të një fëmije të vërtetë, duke i paraqitur si të vetat.
“Unë mbeta pa fjalë kur e zbulova. Ishin fotografitë e vajzës sime, të cilat ajo i kishte marrë nga profili im dhe ua dërgonte të tjerëve si të sajat,” ka rrëfyer gruaja, e cila ka kërkuar të mbetet anonime.
Rasti ka hapur debat të gjerë në rrjetet sociale mbi fenomenin e shtatzënive të rreme dhe abuzimin me imazhe të fëmijëve në internet. Psikologët paralajmërojnë se pas rasteve të tilla shpesh qëndrojnë probleme serioze të shëndetit mendor dhe dëshira për vëmendje ose për mëshirë publike.
Autoritetet skoceze ende nuk kanë dhënë një njoftim zyrtar, por pritet që ndaj Cousins të nisin hetimet për mashtrim dhe përdorim të paautorizuar të imazheve personale.
.
