Nga porti i Havre në Normandi u dha starti i garës transatlantike më të njohur me katër kategori anijesh që do të përballen me kushte ekstreme për të mbërritur në Karaibe
Në brigjet e Normandisë, Francë, është dhënë starti i edicionit të 17-të të garës detare Transat Café L’Or, dikur e njohur si Transat Jacques Vabre, një prej evenimenteve më të rëndësishme të lundrimit në oqean. Gara nisi nën reshje të dendura shiu, erëra të fuqishme dhe dallgë që arrinin deri në dy metra, duke e bërë nisjen spektakolare por edhe të rrezikshme.
Në këtë edicion marrin pjesë 64 mjete lundruese të ndara në katër kategori: Ultim, Imoca, Class 40 dhe Ocean Fifty, të cilat u nisën në intervale të ndryshme kohore nga porti i Havre drejt Martinikës në Karaibe. Katër anijet gjigante të kategorisë Ultim u nisën të parat, duke arritur shpejtësi mbi 30 nyje në det të hapur. Pas tyre, në garë u futën anijet e klasës Imoca dhe më pas Class 40, me mbi 40 ekuipazhe në garë.
Megjithëse emocionet ishin të mëdha, nata e parë nuk kaloi pa incidente. Tre anije të klasës Ocean Fifty u përmbysën për shkak të erërave të forta dhe dallgëve të mëdha, por ekuipazhet e tyre u shpëtuan me sukses nga roja bregdetare franceze. Një prej anijeve, Koesio, përfundoi e bllokuar në brigjet e Guernsey.
Favoritët e garës për këtë vit janë Armel Le Cléac’h me anijen Banque Populaire dhe Franck Cammas me SVR Lazartigue, ndërsa pjesëmarrësit do të përshkojnë rreth 6,200 milje detare për të arritur në Fort-de-France në Martinikë.
Transat Café L’Or, që zhvillohet çdo dy vjet, është një garë në dyshe midis Francës dhe Karaibeve, dhe kombinon shpejtësinë, strategjinë dhe qëndrueshmërinë fizike të marinarëve në një nga provat më të vështira të oqeanit. Organizatorët presin që anijet më të shpejta të mbërrijnë rreth datës 5 ose 6 nëntor.
