Tirana vazhdon të renditet ndër gjashtë qytetet më të shtrenjta në Europë për përballueshmërinë e blerjes së pronës, për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve të apartamenteve dhe të ardhurave mesatare relativisht të ulëta.
Sipas të dhënave të fundit të Numbeo, për gjysmën e parë të vitit 2025, koha e nevojshme për të blerë një apartament në Tiranë ka shkuar në 18 vite, duke u rritur me rreth 3 vite krahasuar me vitin e kaluar, kur nevojiteshin 15.3 vite.Në renditjen botërore, Tirana zë vendin e 37-të, me 18 vite për blerjen e një apartamenti. Në Europë pozicionohet në vendin e gjashtë.Në Europë, vetëm disa qytete kanë një indeks më të lartë përballueshmërie, si Londra me 19.2 vite, Lisbona në Portugali me 19.8 vite dhe Spliti në Kroaci po me 18 vite. Pas Tiranës vjen Beogradi me 16.6 vite dhe Parisi me 15.3 vite.Për 2025, Tirana tejkalon Milanon, një ndër qytetet më të shtrenjta në Europë, për përballueshmërinë e blerjes së një prone. Në Milano nevojiten 16 vite për të blerë një apartament. Ndërkohë në vitet 2023-2024 Milano pozicionohej pas Tiranës me 17 deri 19 vite për blerje apartamenti, ndërsa në Tiranë nevojitej 2 deri 3 vjet më pak.
Në rajon, qytete të tjera si Beogradi dhe Novi Sad kërkojnë rreth 16.6 dhe 16.4 vite për të blerë një pronë, ndërsa Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, ka një përballueshmëri prej 14.6 vite. Në Sarajevë duhen 15.4 vite.Numbeo e llogarit përballueshmërinë e blerjes së një banese duke krahasuar çmimet e banesave me të ardhurat familjare dhe koston e një kredie standarde.Fillimisht, përdor raportin çmim ndaj të ardhurave (Price-to-Income Ratio), që tregon sa vite pune duhen për të blerë një apartament 90 m², duke marrë mesataren e çmimeve në qendër dhe jashtë qendrës së qytetit dhe të ardhurat neto të një familjeje.Sipas ekspertëve të tregut të pasurive të paluajtshme, kjo situatë reflekton sfidat e tregut të pronave në Shqipëri, ku rritja e lartë e çmimeve në mospërputhje me rritjen e të ardhurave mesatare ndikojnë drejtpërdrejt në kohën që duhen për të arritur blerjen e një prone.
Në nivel botëror për 6-mujorin e parë 2025, qyteti më i shtrenjtë për të blerë një apartament vazhdon të jetë Xiamen në Kinë, ku përballueshmëria kërkon 40.1 vite kursim.Për vitin 2024, qyteti më i shtrenjtë në Europë për blerjen e një prone është Lisbona me 19.5 vite, e ndjekur nga Parisi dhe Spliti me 17.8 vite dhe Milano me 16.3 vite.
