Ndërsa kërkesat e tyre për paga më të larta dhe kushte më të sigurta mbeten të paadresuara, minatorët denoncojnë përndjekje dhe presion nga drejtuesit e kompanisë
Protesta e minatorëve të Spaçit ka hyrë sot në ditën e 17-të, me tensione në rritje mes punëtorëve dhe drejtuesve të kompanisë. Minatorët thonë se, në vend të dialogut, po përballen me kërcënime për shkarkim dhe masa disiplinore ndaj atyre që refuzojnë të kthehen në punë.
Sipas burimeve nga terreni, disa prej protestuesve kanë marrë sinjale se emrat e tyre figurojnë në lista për largim nga puna, nëse vazhdojnë të marrin pjesë në grevë. Pavarësisht kësaj, minatorët deklarojnë se janë të vendosur të mos tërhiqen derisa të marrin garanci për zbatimin e kërkesave të tyre – rritje page, përmirësim të kushteve të sigurisë në galeri dhe respektim të orarit të punës.
Një nga përfaqësuesit e grevistëve është shprehur se askush nuk mund të na frikësojë më, sepse ne nuk kërkojmë luks, por jetën tonë – kushte që të mos hyjmë në punë si në varr.
Deri tani, kompania nuk ka dhënë asnjë reagim publik lidhur me situatën, ndërsa sindikata e minatorëve paralajmëron përshkallëzim të protestës nëse heshtja vazhdon.
Greva e Spaçit është kthyer në simbol të rezistencës së punëtorëve të nëntokës, të cilët kërkojnë dinjitet, siguri dhe trajtim të drejtë në një sektor që prej dekadash mbetet ndër më të rrezikshmit në vend.
