Pesë avionë me turistë nga Britania e Madhe u detyruan të ulen në aeroporte të tjera pasi një dron i paidentifikuar ndërpreu trafikun ajror për gati dy orë në Spanjë
Një incident i pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aeroportin ndërkombëtar të Alicante, ku një dron i paidentifikuar shkaktoi kaos në trafikun ajror dhe detyroi autoritetet të pezullojnë fluturimet për më shumë se dy orë.
Sipas autoritetit spanjoll të aeroporteve, AENA, operacionet u ndaluan menjëherë pas orës 21:00, sapo radari sinjalizoi praninë e dronit në zonën ajrore të aeroportit. Aktiviteti u rikthye normalisht vetëm pas orës 23:00, pasi kontrolli ajror konfirmoi që objekti ishte zhdukur nga zona e fluturimeve.
Në total, dhjetë fluturime ndërkombëtare u detyruan të devijojnë drejt aeroporteve të tjera; shtatë u ulën në Valencia, një në Murcia, një në Barcelonë dhe një tjetër në Palma të Majorkës. Pesë prej tyre transportonin turistë britanikë, përfshirë tre avionë të kompanisë Ryanair nga Manchester, Londra dhe Newcastle, një të easyJet nga Liverpool dhe një të Jet2 nga Manchester.
Incidenti preku drejtpërdrejt rreth 1.000 pasagjerë, ndërsa shumë të tjerë mbetën të bllokuar në sallat e nisjeve për shkak të vonesave.
Policia spanjolle ka nisur hetimet për të identifikuar personin që drejtonte dronin, i cili u zhduk menjëherë pas alarmit. Autoritetet paralajmërojnë se nëse piloti rezulton profesionist, gjoba mund të arrijë deri në 3.9 milionë paund, ndërsa për individë pa licencë, dënimi mund të jetë deri në 195 mijë paund.
Ky është rasti i tretë i ngjashëm brenda pak javësh në Spanjë. Në fillim të tetorit, një dron i paidentifikuar shkaktoi ndërprerje të ngjashme në aeroportin e Palma de Mallorca, ndërsa në shtator ndodhi një incident në Fuerteventura.
Autoritetet spanjolle po e trajtojnë fenomenin si kërcënim serioz për sigurinë ajrore, duke paralajmëruar kontrolle të reja dhe ndëshkime të ashpra për shkelësit e rregullave të hapësirës ajrore.
