Përse zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe ish-drejtori i ARRSH-së, Vis Berberi, përdorin ende telefonë të vjetër BlackBerry, në kohën e smartfonëve modernë? Hetimet e SPAK po i japin këtij detaji një domethënie të re.
Në një kohë kur ministrat dhe zyrtarët publikë përdorin telefonë të nivelit më të lartë për punë dhe komunikim, dy figura të njohura të qeverisë shqiptare, Belinda Balluku dhe Vis Berberi, kanë zgjedhur të qëndrojnë tek një model që prej vitesh konsiderohet i dalë mode: BlackBerry.
Sipas burimeve të emisionit “Në Shënjestër”, ky telefon – dikur simbol i sigurisë për biznesmenë e politikanë – është ende në përdorim nga të dy zyrtarët, për shkak të sistemit të tij të koduar që e bën pothuajse të pamundur ndjekjen e komunikimeve. Dhe ky detaj po ngjall interes në hetimet që po zhvillon SPAK për tenderin e famshëm të Tunelit të Llogarasë.
Hetimet për tenderin 190 milionë eurosh
SPAK po heton procedurat e zhvillimit të tenderit për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, pjesë e aksit Orikum–Himarë, një nga projektet më të mëdha publike të qeverisë. Tenderi i parë, i hapur me pjesëmarrjen e gjashtë kompanive, u anulua edhe pse oferta më e ulët ishte ajo e “Gjoka Construction” me 140 milionë euro. Katër muaj më pas, procedura u rihap dhe tenderi iu dha një kompanie turke të sapokrijuar, me kapital vetëm 1.000 lekë – që, sipas hetuesve, shërbente si fasadë për kompaninë shqiptare fituese.
Në terren, punimet kryheshin nga “Gjoka Construction”, me makineritë e saj të loguara, ndonëse formalisht kontrata ishte nënshkruar nga kompania turke.
Përfshirja e Vis Berberit dhe lidhjet me kompani ndërkombëtare
Në qendër të hetimit ndodhet edhe Vis Berberi, ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe një bashkëpunëtor i afërt i Ballukut. Ai akuzohet se ka orientuar përfaqësues të kompanisë “Hill International N.V” për të lidhur marrëveshje me administratorin e “Net Group”, Valter Begaj, duke ndikuar në formimin e një bashkimi operatorësh për tenderin.
Sipas dokumenteve të SPAK, Berberi i ka shitur Begajt aksionet e kompanisë “DAAM” për 1.7 milionë euro, ndërsa vetë i kishte blerë më parë për vetëm 800 euro – një diferencë që ngre dyshime për përfitime të padrejta dhe marrëdhënie të dyfishta biznesi.
Përdorimi i BlackBerry dhe kanalet e mbyllura të komunikimit
Një tjetër pistë që po shqyrtojnë hetuesit lidhet me mënyrën e komunikimit mes zyrtarëve të përfshirë. BlackBerry, telefoni i njohur për sistemin e tij të fortë të enkriptimit, dyshohet se është përdorur për komunikime që nuk mund të gjurmohen lehtësisht nga hetimet konvencionale.
Sipas burimeve hetimore, ky “ves” teknologjik mund të mos jetë thjesht nostalgji për një pajisje klasike, por një metodë për të shmangur gjurmimin e komunikimeve për tenderët dhe marrëveshjet që po hetohen nga SPAK.
Një detaj i vogël në dukje, por që mund të zbulojë një rrjet të tërë komunikimesh të fshehta në një nga çështjet më të bujshme të korrupsionit në vend.
