 
        
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka zbatuar një riorganizim të brendshëm me qëllim forcimin e strukturave të rendit në qarqet Elbasan dhe Dibër, duke sjellë ndryshime në disa poste kyçe.
Në Policinë e Elbasanit janë zyrtarizuar sot lëvizje të reja në nivelet drejtuese, në kuadër të procesit të ristrukturimit dhe përmirësimit të performancës operacionale.
Kryekomisar Elton Halili, që deri më tani drejtonte Komisariatin e Policisë Librazhd, është transferuar për të marrë drejtimin e Komisariatit të Policisë Bulqizë. Ndërkohë, në vendin e tij në Librazhd është emëruar Kryekomisare Nertila Metaj, e cila do të drejtojë strukturën vendore të policisë në këtë qytet.
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëjnë me dije se këto lëvizje janë pjesë e një plani të gjerë riorganizimi që synon rritjen e efikasitetit dhe forcimin e sigurisë publike në zonat me problematika të shtuar.
Ndryshimet në drejtim pritet të shoqërohen me analiza të reja të performancës dhe masa për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave vendore dhe komunitetit.

 
         
         
        