 
        
Një konflikt i çastit mes dy punonjësve në një restorant në Tiranë ka përfunduar në mënyrën më të dhimbshme, me vrasjen e një kuzhinieri nga kolegu i tij. Pamjet filmike zbardhin minutat e fundit të ngjarjes.
Një debat i nisur për një kuti proshute ka përfunduar në tragjedi në zonën e “Komunës së Parisit”, ku një 43-vjeçar, ndihmës picier në një restorant, goditi për vdekje me thikë kolegun e tij, kuzhinierin 41-vjeçar I.I.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ndodhi gjatë orarit të punës, në kuzhinën e restorantit ku punonin të dy. Konflikti mes tyre kishte nisur prej kohësh, për shkak të debateve të shpeshta dhe marrëdhënieve të tensionuara në punë.
“Jam ndjerë i ngacmuar dhe nuk duroja më”, ka deklaruar autori, Filip Shehu, gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit. Ai rrëfeu se viktima e kishte ironizuar për mënyrën e punës dhe se zënka e fundit shpërtheu kur shefi i kuzhinës e udhëzoi të mos përdorte proshutën e vjetër në frigorifer, por të merrte të renë.
Nga pamjet e sigurisë të sekuestruara nga policia, rezulton se pas një përplasjeje të ashpër verbale, Shehu ka marrë thikën e kuzhinës dhe e ka goditur kolegun tre herë, një herë në qafë dhe dy herë në bark, duke i shkaktuar plagë fatale.
Pavarësisht përpjekjeve të stafit për t’i dhënë ndihmën e parë, viktima ndërroi jetë pak minuta më vonë.
Të njohurit e përshkruajnë autorin si një njeri të mbyllur, që rrallë komunikonte me kolegët dhe jetonte vetëm në Tiranë, i shkëputur nga familja prej disa kohësh.
Policia ka sekuestruar armën e krimit dhe pamjet filmike të ngjarjes, ndërsa autori ndodhet në paraburgim nën akuzën e “vrasjes me dashje”. Hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet që çuan në këtë krim tronditës në zemër të kryeqytetit.

 
         
         
         
         
        