Kongresi i Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës do të zhvillojë një vizitë në Tiranë më 17–19 nëntor, për të vlerësuar gjendjen e demokracisë vendore, në një kohë kur Gjykata Kushtetuese po shqyrton çështjen e shkarkimit të Erion Veliajt.
Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale në Këshillin e Evropës ka njoftuar zhvillimin e një misioni të posaçëm monitorimi në Shqipëri në mesin e nëntorit, pas përfshirjes së vendit në listën e shteteve që do të vlerësohen gjatë vitit 2025 për funksionimin e qeverisjes vendore.
Në një letër drejtuar kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Sekretari i Përgjithshëm i Kongresit, Mathieu Mori, konfirmon se delegacioni do të qëndrojë në Shqipëri nga data 17 deri më 19 nëntor, me synimin për të përgatitur një raport të përditësuar mbi standardet e demokracisë vendore dhe raportet ndërmjet institucioneve qendrore e lokale.
“Vizitat e këtij karakteri synojnë të zhvillohen në frymën e një dialogu të hapur dhe konstruktiv me autoritetet në të gjitha nivelet e qeverisjes,” thuhet në komunikimin zyrtar të Kongresit, i cili vë theksin tek transparenca, ndarja e kompetencave dhe respektimi i parimeve të vetëqeverisjes vendore.
Kjo vizitë vjen në një moment të ndjeshëm politik, kur Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar ankimimin e Erion Veliajt ndaj vendimit për shkarkimin nga posti i kryebashkiakut të Tiranës. Vendimi i ardhshëm i Kushtetueses pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në raportet e qeverisjes vendore dhe në mënyrën si interpretohet autonomia e pushtetit lokal në Shqipëri.
Burime pranë Këshillit të Evropës bëjnë me dije se delegacioni i misionit do të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve shtetërore, bashkive, shoqërisë civile dhe medias, për të mbledhur të dhëna të plota mbi klimën institucionale dhe politike në vend. Raporti përfundimtar pritet të publikohet në fillim të vitit 2026 dhe do të shërbejë si bazë për rekomandime mbi forcimin e qeverisjes vendore dhe pavarësinë e saj nga ndërhyrjet politike.
