Ylli portugez i Al-Nassr vijon të kryesojë listën globale të fitimeve sportive, duke lënë pas Stephen Curry dhe Tyson Fury, një dëshmi e ndikimit të tij që shkon përtej fushës së futbollit.
Cristiano Ronaldo ka mbajtur edhe këtë vit fronin e atletit më të paguar në botë, për të tretin vit radhazi dhe të pestin herë në karrierë. Sipas renditjes më të fundit të Forbes, fitimet e portugezit kanë arritur në rreth 275 milionë dollarë gjatë 12 muajve të fundit, duke përfshirë pagën te Al-Nassr dhe të ardhurat nga kontratat tregtare e bizneset personale.
Edhe pse ka kaluar të 40-at, Ronaldo vijon të shënojë rekorde financiare dhe sportive, duke e ruajtur me diferencë të madhe pozicionin e tij në krye të sportistëve më të pasur në planet. Në krahasim me vendin e dytë, që mbahet nga basketbollisti i Golden State Warriors, Stephen Curry (156 milionë dollarë), Ronaldo ka një avantazh prej plot 119 milionë dollarësh.
Forbes vlerëson se dhjetë atletët më të paguar të vitit 2025 kanë gjeneruar së bashku mbi 1.4 miliardë dollarë – shifra më e lartë që nga viti 1990. Për herë të dytë radhazi, të gjithë sportistët e listës kanë fituar mbi 100 milionë dollarë secili.
Pas Ronaldos dhe Curry-t, podiumin e plotëson kampioni britanik i boksit Tyson Fury me 146 milionë dollarë. Ndërkohë, Lionel Messi renditet në vendin e pestë me 135 milionë dollarë, duke vijuar rivalitetin e gjatë ekonomik me portugezin.
Lista e plotë e atletëve më të paguar për vitin 2025:
- Cristiano Ronaldo – 275 milionë dollarë
- Stephen Curry – 156 milionë dollarë
- Tyson Fury – 146 milionë dollarë
- Dak Prescott – 137 milionë dollarë
- Lionel Messi – 135 milionë dollarë
- LeBron James – 133.8 milionë dollarë
- Juan Soto – 114 milionë dollarë
- Karim Benzema – 104 milionë dollarë
- Shohei Ohtani – 102.5 milionë dollarë
- Kevin Durant – 101.4 milionë dollarë
Dominimi financiar i Ronaldos tregon jo vetëm qëndrueshmërinë e tij sportive, por edhe aftësinë për të mbetur simbol global fitimprurës, shumë përtej kufijve të futbollit.
