 
        Këngëtari kanadez flet hapur për besnikërinë në martesë dhe ngjall reagime të forta me deklaratën se edhe dëshira për një person tjetër është formë tradhtie.
Një deklaratë e Justin Bieber ka ndezur diskutime të shumta në rrjetet sociale. Gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në platformën Twitch, këngëtari 31-vjeçar ndau mendimin e tij mbi konceptin e tradhtisë në një marrëdhënie martesore, duke thënë se “edhe të mendosh me dëshirë për dikë tjetër është njësoj si ta tradhtosh partnerin”.
Sipas Bieber, besnikëria nuk është vetëm fizike, por edhe emocionale dhe mendore. Ai e krahasoi ndjenjën e dëshirës për dikë tjetër me aktin e tradhtisë, ashtu siç zemërimi i thellë ndaj dikujt mund të shihet si një formë dhune shpirtërore. “Nëse e le mendjen të shkojë drejt dikujt tjetër, je tashmë në kufijtë e tradhtisë,” tha ai gjatë diskutimit.
Deklaratat e tij kanë ndarë publikun në dy kampe. Një pjesë e ndjekësve e ka vlerësuar qëndrimin si shenjë respekti dhe sinqeriteti ndaj bashkëshortes së tij, Hailey Bieber, ndërsa të tjerë e kanë kritikuar për idealizëm të tepruar, duke argumentuar se “mendimet nuk mund të kontrollohen dhe nuk janë mëkat nëse nuk kthehen në veprim”.
Këto reagime vijnë në një moment kur çifti Bieber është sërish në qendër të vëmendjes mediatike për shkak të thashethemeve mbi kriza në martesë. Megjithatë, pavarësisht spekulimeve, Justin dhe Hailey janë shfaqur shpesh bashkë në publik, duke dhënë sinjale se marrëdhënia e tyre mbetet e fortë.
Burime pranë çiftit tregojnë se të dy po përqendrohen më shumë tek familja dhe djali i tyre, Jack Blue, duke preferuar të mbajnë jetën private larg bujës së mediave. Në një kohë ku fama shpesh shkatërron marrëdhëniet, çifti duket i vendosur ta ruajë dashurinë me përkushtim dhe qetësi.

 
         
         
         
         
         
        