 
        Legjenda e Manchester United rrëfen vendimin për t’u tërhequr nga komentimi sportiv për t’u përkushtuar plotësisht djalit të tij 20-vjeçar me autizëm të theksuar, ndërsa konfirmon edhe ndarjen nga bashkëshortja e tij pas shumë vitesh heshtjeje.
Ish-futbollisti i njohur anglez Paul Scholes ka zbuluar arsyen e largimit të tij nga ekranet televizive: dëshirën për t’u kujdesur plotësisht për të birin, Aiden, i cili është jo-verbal dhe me autizëm të rëndë. Në një rrëfim të ndjerë gjatë podcastit “Stick to Football” me Gary Neville, 50-vjeçari tregoi se çdo ditë e jetës së tij tashmë është ndërtuar sipas rutinës së djalit.
“Tani gjithçka që bëj, e bëj rreth Aiden. Ai ka një rutinë shumë të rreptë çdo ditë, dhe unë kam vendosur që puna ime të përshtatet me të, jo e kundërta,” tha Scholes, i cili u tërhoq këtë sezon nga komentimi i ndeshjeve për t’u fokusuar tek podcasti i tij me ish-bashkëlojtarin Nicky Butt.
Aiden, i cili do të mbushë 21 vjeç në dhjetor, u diagnostikua me autizëm në moshën 2 vjeç e gjysmë. “Ai nuk flet, por unë e di që kupton shumë më tepër nga ç’mund të mendojnë të tjerët. Ka disa tinguj që vetëm ne, familja, mund t’i kuptojmë,” rrëfeu Scholes.
Ish-mesfushori konfirmoi gjithashtu se është ndarë nga bashkëshortja e tij Claire Froggatt, me të cilën ishte martuar që prej vitit 1999. Pavarësisht ndarjes, ata kujdesen së bashku për të birin: “E kemi ndarë javën. Aiden është tre net me mua, tre me Claire, dhe një natë e kalon te gjyshja e tij.”
Scholes tregoi edhe për përditshmërinë e tyre të përbashkët plot dashuri dhe sfida: “Të martën shkoj ta marr nga qendra e kujdesit, pastaj shkojmë në not dhe më pas e marrim picën e tij të preferuar. Të enjten shkojmë për të ngrënë bashkë, ndërsa të dielave gjithmonë shkojmë te supermarketi ku ai mbush karrocën me çokollata. Ai nuk di çfarë dite është, por nga aktivitetet tona e kupton menjëherë.”
Duke kujtuar vitet e vështira pas diagnostikimit, Scholes rrëfeu se shpesh vinte në stërvitje me gjurmë kafshimesh apo gërvishtjesh nga momentet e krizave të djalit. “Ishte periudha më e vështirë e jetës sime, dhe nuk i kisha treguar askujt në klub. Më duhej ta mbaja për vete,” tha ai.
Megjithatë, përmes vështirësive, Scholes theksoi se kujdesi për Aiden i ka dhënë kuptim të ri jetës. “Nuk kërkoj keqardhje. Ka ditë të vështira, por ai është gëzimi im më i madh. Kur është i lumtur, më bën të ndjej se çdo sakrificë ka vlerë.”
Sot, legjenda e Manchester United e ka lënë pas botën e zhurmshme të televizionit për një jetë më të qetë, ku çdo ditë nis dhe mbyllet me të birin. “Aiden është bota ime,” përfundoi Scholes me emocion.

 
         
         
         
         
        