 
        Pas rrëzimit të kërkesës për ngritjen e komisioneve hetimore, PD reagon menjëherë dhe thërret deputetët në mbledhje të posaçme për të diskutuar situatën në Kuvend.
Pas braktisjes së seancës plenare nga opozita, e cila reagoi ndaj vendimit të mazhorancës për të mos miratuar ngritjen e komisioneve hetimore për 11 majin dhe çështjen McGonigal, Partia Demokratike ka thirrur një mbledhje urgjente të grupit të saj parlamentar.
Sipas njoftimit të shpërndarë përmes një mesazhi zyrtar, mbledhja do të zhvillohet ditën e nesërme, më 31 tetor, në orën 12:00, dhe pritet të ketë në qendër diskutimin mbi mohimin e të drejtave kushtetuese të opozitës në Kuvend.
Në njoftim theksohet rëndësia e takimit dhe u kërkohet të gjithë deputetëve të mos mungojnë, pasi në fokus do të jetë qëndrimi politik që do të mbahet në ditët në vijim pas tensioneve në Parlament.
Sipas burimeve pranë grupit, pritet që mbledhja të drejtohet nga Sali Berisha, ndërsa do të shqyrtohen hapat e ardhshëm opozitarë dhe mundësitë për një reagim të koordinuar kundër shumicës qeverisëse.

 
         
         
         
        