 
        Pas kallëzimit të bërë nga Valon Ademi ndaj biznesmenit kosovar, prokuroria ka nisur hetimet për manipulim të të dhënave kompjuterike, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e sekuestrimit të aeroportit nëse provohen shkelje.
Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja në lidhje me hetimin që ka nisur prokuroria mbi konfliktin mes aksionerëve të Aeroportit të Vlorës, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi. Sipas saj, kallëzimi penal është bërë nga Ademi, pronar i kompanisë “2A Group”, i cili akuzon Pacollin, vëllain e tij dhe ish-administratorin e kompanisë për manipulim të të dhënave.
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal dhe ka marrë në pyetje disa persona, përfshirë Valon Ademin, Nelson Çelën dhe Valon Llukën, të dy ish-administratorë të “Mabco”. Aktualisht, nën hetim ndodhet Nelson Çela, i akuzuar për ndërhyrje të paautorizuar në sistemet kompjuterike, pasi dyshohet se ka ndryshuar të dhëna në mënyrë të paligjshme, në dëm të kompanisë “2A Group”.
Sipas Lalës, nëse prokuroria arrin të provojë se janë falsifikuar dokumente apo se janë manipuluar shifrat që ndikojnë në kontratat e investimit strategjik, atëherë shteti mund të ndërhyjë me masa ligjore, përfshirë sekuestrimin e aeroportit.
Ajo theksoi se çdo shkelje e kushteve të kontratës mes palëve mund të çojë në ndërhyrjen e shtetit për mbrojtjen e interesit publik dhe garantimin e transparencës në projektet strategjike si ai i Aeroportit të Vlorës.

 
         
         
         
         
        