 
        Mbi një milion të rinj britanikë të moshës 16–24 vjeç janë jashtë çdo sistemi arsimor apo tregu pune, ndërsa ekspertët flasin për një krizë sociale dhe morale që po prek edhe vende të tjera të Evropës.
Në Mbretërinë e Bashkuar po rritet me shpejtësi numri i të ashtuquajturve “Neets”, të rinj që nuk janë as në shkollë, as në punë, e as në trajnim profesional. Sipas “The Telegraph”, në fund të vitit 2024, rreth një milion britanikë të moshës 16 deri në 24 vjeç ndodheshin jashtë çdo forme punësimi apo arsimimi, një rritje prej afro 200 mijë personash në vetëm dy vjet.
Edhe më shqetësuese është se rreth gjysma e tyre, rreth 500 mijë të rinj, nuk kanë pasur kurrë një punë. Një raport i kompanisë PwC tregon se 40 % e brezit të ri, të ashtuquajturës “gjenerata Z”, preferojnë të jetojnë me ndihma sociale sesa të vazhdojnë punën që kanë.
Një pjesë e të rinjve që flasin për “The Telegraph” përshkruajnë përvoja të ngjashme me ndjenjën e boshllëkut dhe mungesës së motivimit. Jordan Cocker, 18 vjeç, rrëfen se braktisi shkollën dhe punën tek McDonald’s sepse nuk ndihej i aftë të komunikonte me njerëzit. Ndërsa Floyd Smith, gjithashtu 18 vjeç, pranon se u izolua totalisht pas gjashtë javësh pune, duke kaluar ditët duke luajtur videolojëra.
“Shumë të rinj nuk duan të punojnë sepse shoqëria e ka bërë gjithçka shumë të vështirë,” – thotë ai.
Kryeministri britanik Keir Starmer e ka cilësuar këtë krizë si një “çështje morale”, duke paralajmëruar masa për të nxitur përfshirjen e të rinjve në tregun e punës. Për të rinjtë 18–20 vjeç, qeveria ka rritur pagën minimale me 16,3 %, ndërsa organizatat e pavarura paralajmërojnë për rritje alarmante të problemeve të shëndetit mendor pas pandemisë.
Fenomeni nuk kufizohet vetëm në Britani. Në Francë, rreth 1,4 milion të rinj të moshës 15–29 vjeç ndodhen jashtë sistemit arsimor dhe tregut të punës, duke përbërë rreth 13 % të grupmoshës.
Sipas Joseph Garczynski, një 16-vjeçar që ndjek programe arsimore alternative, problemi qëndron në sistemin arsimor që nuk i përgatit të rinjtë për realitetin: “Shkollat nuk na mësojnë si të aplikojmë për punë apo çfarë të bëjmë pas studimeve. Tani mësoj diçka që vërtet më ndihmon – si të përgatis një aplikim për punë.”
Kriza e “Neets” po shihet gjithnjë e më shumë si një alarm për të ardhmen e tregut të punës në Europë, ndërsa shoqëritë moderne përballen me pasojat e mungesës së motivimit, presionit social dhe ndryshimeve kulturore të brezit të ri.

 
         
         
         
        