Emri i Anna Gegnoso-s, modele dhe influencuese nga Italia, po qarkullon si protagoniste e një historie që rrezikon të trazojë jetën private të yllit të Barcelonës, Lamine Yamal.
Në qendër të një vorbulle mediatike është futur Lamine Yamal, talenti i ri i Barcelonës, pas raportimeve se ka kaluar një natë në Milano me modelen italiane Anna Gegnoso. Lajmi është bërë publik nga gazetari Jordi Martin në kanalin e tij në YouTube, duke ndezur debatin në mediat sociale dhe në botën e futbollit.
Sipas raportimeve, Yamal ka fluturuar privat nga Katalonja drejt Milanos, ku është akomoduar në hotelin luksoz “Armani”. Pikërisht nga i njëjti vend, Gegnoso publikoi në Instagram një foto që i bëri ndjekësit të lidhin ngjarjet mes tyre.
Modelja 20-vjeçare, e njohur për karrierën si aktore dhe influencuese, nuk është një emër i ri në orbitën e futbollistit spanjoll. Që në fund të vitit 2024, në media kishin qarkulluar aludime për një lidhje të mundshme, pasi të dy u panë në Barcelonë duke kaluar kohë me miqtë e tyre. Më vonë, pas ndarjes së Yamal nga Alex Padillia, paparacët i fotografuan sërish bashkë gjatë një shëtitjeje në “La Roca Village”.
Përmasat e skandalit rriten edhe më shumë nga fakti që Yamal është në një lidhje publike me këngëtaren argjentinase Nicki Nicole. Çifti e konfirmoi romancën në gusht 2025 dhe shpesh ndan momente të përbashkëta në rrjetet sociale.
Por ndryshe nga imazhet e dashurisë në Instagram, kjo histori e re duket se ka prishur ekuilibrat dhe ka hapur një kapitull të ri plot thashetheme në jetën e yllit të Barcelonës.
