Ish-kryebashkiaku i Tiranës përmendi rastin e homologut të tij në Tropojë për të ilustruar standardet e dyfishta në trajtimin e zyrtarëve vendorë dhe mbrojti të drejtën e barazisë përpara ligjit.
Gjatë fjalës së tij në Gjykatën Kushtetuese, ku po shqyrtohet kërkesa për rrëzimin e vendimit të shkarkimit nga detyra, Erion Veliaj solli në vëmendje shembullin e kryetarit të Bashkisë së Tropojës, i cili, sipas tij,  ka qenë në arrest shtëpie pa u shkarkuar nga detyra.
“Kur kryetari i Bashkisë së Tropojës ka qenë në arrest shtëpie, askush nuk e preku mandatin e tij. A nuk janë qytetarët e këtij vendi të barabartë, kudo që ndodhen?”, pyeti Veliaj, duke theksuar se rasti i tij trajtohet me standarde të ndryshme.
Ai shtoi se beteja që po zhvillon nuk është vetëm për veten, por për të gjithë të zgjedhurit vendorë që mund të përballen me të njëjtën situatë në të ardhmen. “Po sikur nesër t’ja bëjnë Ogertës, Florit apo Arlindit? Unë nuk po e bëj këtë vetëm për vete, por për ata që do të vijnë pas meje,” deklaroi Veliaj.
Sipas tij, ky është një test për drejtësinë dhe për barazinë e qytetarëve përpara ligjit, pasi çdo precedent i tillë, tha ai, e bën demokracinë më të brishtë dhe besimin te vota më të dobët.
