Ish-kryebashkiaku i Tiranës deklaroi se procesi ndaj tij është një precedent i rrezikshëm për demokracinë, duke paralajmëruar se e njëjta padrejtësi mund të përsëritet ndaj çdo kryebashkiaku apo kandidati të ardhshëm.
Në vijim të seancës në Gjykatën Kushtetuese, Erion Veliaj shfrytëzoi fjalën e tij për të dërguar një mesazh që e quajti “betejë për drejtësi, jo vetëm personale, por edhe institucionale”. Ai argumentoi se shkarkimi i tij nga detyra përbën një rrezik për funksionimin e demokracisë lokale dhe për barazinë e qytetarëve përpara ligjit.
Veliaj theksoi se gjatë periudhës së ndalimit ka vijuar të ushtrojë detyrën në mënyrën e mundshme, përmes delegimit të kompetencave te nënkryetarët e bashkisë. “Në çdo rast që është dashur të veproj, kam emëruar dhe deleguar. Nuk kam penguar askënd të mbjellë pemë, të pastrohet qyteti apo të vijojnë shërbimet. Bashkia ka funksionuar, sepse nuk jam bërë unë pengesë për Tiranën. Por, ndërsa një pjesë e shtetit më urdhëronte të qëndroja në Durrës, një tjetër më kërkonte pse nuk shkoja në zyrë,” tha ai.
Në vijim, Veliaj solli në vëmendje rastin e kryetarit të Bashkisë së Tropojës, i cili sipas tij qëndroi 11 muaj në arrest shtëpie pa u shkarkuar, duke ngritur pyetjen për standardet e dyfishta që po zbatohen. “Në Tropojë kryebashkiaku ka qenë në arrest shtëpie dhe mandati i tij nuk është prekur. Pse duhet të jetë ndryshe për Tiranën? A nuk janë të gjithë qytetarët e këtij vendi të barabartë?” pyeti ai para trupës gjykuese.
Veliaj paralajmëroi se ky precedent mund të përsëritet ndaj çdo të zgjedhuri vendor në të ardhmen, përfshirë edhe kandidatët aktualë për Bashkinë e Tiranës. “Po sikur nesër t’ja bëjnë Ogerta Manastirliut, Florjan Binajt apo Arlind Qorrit? Atëherë do të kemi një kaos institucional, sepse nëse një mandat i fituar me votë mund të hiqet pa vendim të formës së prerë, zgjedhjet humbasin kuptimin e tyre,” deklaroi ai.
Nga ana e tij, avokati mbrojtës i Veliajt argumentoi se ndalimi fizik nuk përbën mosushtrim të vullnetshëm të detyrës dhe se funksioni i kryebashkiakut mund të ushtrohet edhe jashtë zyrës në rrethana të veçanta. “Detyra nuk është e kufizuar në një hapësirë fizike. Edhe nëse zyra do të shkatërrohej nga tërmeti, përgjegjësia do të mbetej e njëjtë. Kështu edhe në rastin e Veliajt, ai nuk ka braktisur funksionin, por është penguar për shkak të një vendimi gjykate që nuk është i formës së prerë,” tha ai.
Në përmbyllje, Veliaj e përshkroi këtë proces si një “provë për drejtësinë kushtetuese dhe për vetë barazinë qytetare në Shqipëri”. “Nuk po luftoj për një karrige, por për parimin që zgjedhja me votë nuk mund të zëvendësohet nga urdhri politik,” përfundoi ai.
