Me 9 vota kundër dhe 5 pro, mazhoranca socialiste refuzon iniciativën e demokratëve që akuzonin kreun e shtetit për shtatë shkelje kushtetuese dhe ligjore.
Komisioni i Ligjeve në Kuvend ka rrëzuar këtë të premte kërkesën e opozitës për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Vendimi u mor pas një seance të gjatë diskutimesh, ku 9 deputetë të Partisë Socialiste votuan kundër, ndërsa 5 anëtarë të opozitës u shprehën pro nismës.
Kërkesa e dorëzuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike përmbante një listë me shtatë pika, të cilat, sipas opozitës, përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi nga ana e kreut të shtetit. Megjithatë, mazhoranca i cilësoi pretendimet si politike dhe pa bazë ligjore.
Në dokumentin e depozituar në Kuvend, demokratët akuzonin Presidentin Begaj për:
- dekretimin e zgjedhjeve në Tiranë në kundërshtim me Kushtetutën;
- ndërhyrje në mandatin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese;
- miratim të një ligji për Komisionet Hetimore pa respektuar procedurat;
- dekretimin e ministres virtuale “Diella”;
- lejimin e përfshirjes së trupës diplomatike në fushatën zgjedhore të vitit 2025;
- ndërhyrje të kabinetit të tij në procesin e administrimit të zgjedhjeve;
- dhe përfshirje të familjarëve në marrëdhënie të dyshimta punësimi në kompani që kanë përfituar tendera nga Presidenca.
Mazhoranca socialiste hodhi poshtë të gjitha akuzat, duke theksuar se asnjëra prej tyre nuk përbën shkelje të natyrës që mund të çojë në shkarkim. “Kërkesa e opozitës është e motivuar politikisht dhe pa mbështetje në ligj,” u shprehën përfaqësuesit e PS në Komision.
Me rrëzimin e kësaj kërkese, përpjekja e dytë brenda këtij viti e opozitës për të nisur procedurën e shkarkimit të Presidentit Begaj përfundon pa sukses, ndërsa mazhoranca e konsideron çështjen të mbyllur përfundimisht.
