Nga 40 në 50 lekë për një udhëtim dhe nga 12 mijë në 14 mijë lekë për abonenë mujore, Bashkia Kamëz miraton kërkesën e operatorit për rritjen e çmimeve në transportin publik.
Qytetarët që udhëtojnë çdo ditë me transportin urban në linjën Kamëz–Tiranë do të përballen me tarifa më të larta duke filluar nga data 1 nëntor. Vendimi është marrë pas kërkesës zyrtare të operatorit të linjës, i cili ka kërkuar rritjen e çmimit të biletës nga 40 në 50 lekë dhe të abonës mujore nga 12 mijë në 14 mijë lekë.
Në relacionin drejtuar Bashkisë Kamëz, kompania ka argumentuar se shtimi i kostove të karburantit, mirëmbajtjes dhe shpenzimeve operative e ka bërë të pamundur mbajtjen e tarifave aktuale. Sipas dokumentacionit financiar të paraqitur, rritja e çmimeve shihet si e domosdoshme për të garantuar vijimësinë e shërbimit.
Pas shqyrtimit nga Drejtoria e Transportit dhe diskutimeve në komisionet përkatëse të Këshillit Bashkiak, kërkesa është miratuar me shumicë votash. Megjithatë, njoftimi zyrtar nuk është bërë publik përpara hyrjes në fuqi të vendimit, duke i zënë të papërgatitur shumë qytetarë që përdorin çdo ditë këtë linjë për të udhëtuar drejt Tiranës.
Rritja e çmimeve ka sjellë reagime të menjëhershme në rrjetet sociale, ku udhëtarët shprehen se vendimi rëndon më tej xhepat e familjeve, veçanërisht për ata që përdorin transportin publik në mënyrë të përditshme. Deri më tani, Bashkia Kamëz nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për mënyrën se si është komunikuar vendimi me publikun.
