Sot festohet Halloween, nata e shpirtrave të vdekur, shtrigave me fshesë, maceve të zeza dhe çdo gjëje të frikshme. Kunguj të mëdhenj të ndriçuar nga brenda, skeletë, hije dhe kostume të çuditshme janë pjesë e dekorit, ndërsa festimi po përhapet gjithnjë e më shumë edhe në Shqipëri, kryesisht mes të rinjve. Në botë, kjo ditë shndërrohet shpesh edhe në një garë midis VIP-ave për kostumin më të veçantë.
Emri “Halloween” rrjedh nga All Hallows’ Eve, ose mbrëmja para Ditës së të Gjithë Shenjtorëve, një festë me origjinë të lashtë irlandeze. Festimi mbërriti në Shtetet e Bashkuara me emigrantët irlandezë dhe sot ka pësuar transformime të mëdha. Nata e 31 tetorit shënon fundin e vitit kelit dhe besohet se në këtë natë shpirtrat e të vdekurve rikthehen mes të gjallëve. Për këtë arsye, njerëzit vishen me kostume frikësuese për t’i trembur shpirtrat.
Origjina e Halloween-it lidhet me festivalin antik kelit, Samhain, ku besohej se kufiri mes botës së të gjallëve dhe të vdekurve zhdukej. Shpirtrat e vdekur gjatë vitit që shkoi mblidheshin dhe përziheshin me botën e të gjallëve, dhe fshatarët vendosnin ushqime dhe ëmbëlsira për t’i qetësuar. Ky ritual mund të ketë dhënë frymëzimin për traditën moderne të “trick-or-treat”.
Në Shqipëri, Halloween po bëhet gjithnjë e më i dukshëm pas viteve ’90, kryesisht mes të rinjve, duke sjellë kostume, dekorime dhe aktivitete festive që e kthejnë këtë natë në një përvojë argëtuese dhe misterioze.
