Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas hetimeve të nisura nga SPAK ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke akuzuar se Edi Rama është i paaftë ta largojë nga detyra, pasi i lidhin interesa të përbashkëta korruptive.
Pas publikimit të lajmit për marrjen nën hetim të Belinda Ballukut nga SPAK në lidhje me tenderin e Tunelit të Llogarasë, Gazment Bardhi ka shpërthyer me akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama. Ai e ka cilësuar këtë rast si shembullin më të qartë të bashkëpunimit të dy niveleve më të larta të qeverisë në korrupsion.
Sipas Bardhit, projekti i Tunelit të Llogarasë përmban një dëm të përllogaritur prej rreth 50 milionë eurosh, që sipas tij janë përfituar në mënyrë të paligjshme përmes manipulimit të tenderave. “Këto para janë zhdukur përmes një skeme që ka një autor dhe një garant politik. Personi që e ka zbatuar quhet Belinda Balluku, dhe ai që e ka ideuar është Edi Rama”, tha Bardhi.
Në deklaratën e tij, ai nënvizoi se Rama është i lidhur ngushtë me zëvendëskryeministren e tij jo thjesht në aspektin politik, por në interesa të drejtpërdrejta korruptive, gjë që, sipas tij, e pengon të marrë çdo veprim ligjor ndaj saj. “Edi Rama nuk ka as vullnetin, as fuqinë ta shkarkojë Belinda Ballukun. Janë të dy peng të njëri-tjetrit, të bashkuar nga marrëveshjet e fshehta dhe përfitimet e përbashkëta. Ajo është krahu i tij i djathtë në punët e pista të qeverisë”, deklaroi Bardhi.
Ai kërkoi që SPAK të ndjekë gjurmët financiare të tenderit të Llogarasë dhe të veprojë pa vonesë. “Prokuroria e Posaçme duhet të gjejë ku kanë përfunduar 50 milionë eurot e zhdukura dhe t’i rikthejë në buxhetin e shtetit. Korrupsioni në këtë projekt është i qartë dhe ka ndodhur me firmën e Belinda Ballukut dhe bekimin e Edi Ramës”, shtoi Bardhi.
Reagimi i tij vjen në një moment kur hetimet e SPAK ndaj disa zyrtarëve të lartë po ngushtojnë rrethin e përgjegjësisë brenda qeverisë, duke e vënë Ramën përballë një prove të vështirë politike: të zgjedhë mes mbrojtjes së aleatëve të tij më të afërt apo ruajtjes së kredibilitetit publik përballë institucioneve të drejtësisë.
