Faruk Fatih Özer, themeluesi i bursës së kriptomonedhave Thodex, i cili u arrestua në Shqipëri në gusht të vitit 2022 pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet turke, është gjetur i vdekur në qelinë e tij në burgun e sigurisë së lartë në Tekirdağ të Turqisë.
Sipas mediave turke, 30-vjeçari është gjetur i varur në banjën e qelisë ku qëndronte i vetëm. Ekipet mjekësore ndërhynë menjëherë, por nuk mundën ta shpëtonin. Trupi i tij u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa Prokuroria e Tekirdağut ka nisur hetimet për rrethanat e ngjarjes.
Özer, i cili më parë kishte marrë mbështetje psikologjike në burg, u ekstradua nga Shqipëria në Turqi në prill të vitit 2023. Ai po gjykohej për mashtrimin e mijëra investitorëve përmes platformës Thodex dhe përballej me një dënim rekord prej 11 190 vitesh burg, nën akuzat për krijimin e një organizate kriminale, mashtrim të rëndë dhe pastrim parash.
