Përpjekjet e disa klubeve saudite për ta sjellë Lionel Messin në kampionatin arab kanë dështuar, pasi Ministria e Sportit në Riad ka refuzuar kategorikisht idenë e huazimit afatshkurtër të yllit argjentinas.
Pas transferimit të bujshëm të Cristiano Ronaldos në Al Nassr dhe tentativave për të sjellë emra të tjerë të mëdhenj në Ligën Saudite, u përfol se edhe Lionel Messi mund të ishte pjesë e këtij projekti për disa muaj. Megjithatë, ideja është hedhur poshtë në mënyrë përfundimtare nga autoritetet sportive saudite.
Abdallah Hammad, drejtori i përgjithshëm i Akademisë Mahd për Zhvillimin e Talenteve, tha në një intervistë për “Thmanya Podcast” se kishte propozuar huazimin e Messit për një periudhë katërmujore, por kërkesa u refuzua nga vetë Ministri i Sportit. “Ia paraqita propozimin ministrit, por ai nuk pranoi. Më tha se kampionati saudit nuk është një kamp stërvitor dhe se nuk mund të përdoret për eksperimente afatshkurtra”, deklaroi Hammad.
Në fakt, Lionel Messi ka rinovuar së fundmi kontratën me Inter Miami deri në qershor të vitit 2028, duke konfirmuar qëndrimin e tij në Major League Soccer. Ai aktualisht po merr pjesë në fazën “playoff” të kampionatit amerikan, ndërsa sezoni i ri pritet të nisë në fund të shkurtit ose në fillim të marsit.
Ky vendim i autoriteteve saudite i jep fund zërave që qarkullonin për një rivalitet të ringjallur mes Messit dhe Ronaldos në tokën arabe, duke treguar se prioritetet e futbollit saudit mbeten në ndërtimin e një kampionati afatgjatë dhe jo në transferime të përkohshme për efekt spektakli.
