Pamje tronditëse të një përleshjeje të dhunshme në Piccadilly Gardens janë bërë virale, ndërsa policia britanike ka nisur hetimet për të identifikuar autorët e ngjarjes së rëndë të ndodhur natën e Halloween-it.
Një ngjarje e dhunshme në zemër të Manchester ka shkaktuar shqetësim të madh, pasi dhjetëra kalimtarë kanë qenë dëshmitarë të një rrahjeje brutale mes disa personave në sheshin qendror Piccadilly Gardens. Pamjet e incidentit, të xhiruara nga qytetarët me telefonat e tyre dhe të shpërndara gjerësisht në rrjetet sociale, tregojnë disa persona që godasin njëri-tjetrin me grushta dhe shqelma, ndërsa të tjerë qëndrojnë duke filmuar pa ndërhyrë.
Në video shihet një burrë pa këmishë, me fytyrë të përgjakur, që tenton të mbrohet ndërsa sulmohet nga disa persona të veshur me kapuçë të zinj. Njëri prej tyre, sipas raportimeve të “Manchester Evening News”, përdor madje një patericë për ta goditur. Në sfond dëgjohet zëri i dikujt që filmon, duke komentuar skenën me fjalët: “Po ndodh tani, është çmenduri”.
Pas përleshjes, dy prej personave të përfshirë shihen duke u larguar nga vendngjarja, të ndjekur nga një grup individësh të veshur me të zeza, ndërsa turma që filmonte vazhdon të bërtasë dhe të ndjekë me sy zhvillimin e situatës.
Policia e Manchester ka konfirmuar se është në dijeni të videos dhe ka nisur hetimet për të identifikuar personat e përfshirë. “Jemi në dijeni të pamjeve që po qarkullojnë dhe aktualisht po i shqyrtojmë ato,” – tha një zëdhënës i Policisë së Greater Manchester.
Piccadilly Gardens, një prej hapësirave publike më të njohura të qytetit, është përballur prej vitesh me probleme të rënda të rendit dhe sjelljeve antisociale. Për këtë arsye, bashkia e Manchester ka prezantuar më herët një projekt shumëmilionësh për rikonstruksionin e zonës, me synimin që ta kthejë atë në “një hapësirë që qytetarët të ndihen sërish krenarë ta frekuentojnë”.
Ndërkohë, videoja e incidentit ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale, me shumë përdorues që shprehen të tmerruar nga fakti se dhjetëra njerëz zgjodhën të filmonin skenën në vend që të ndërhynin për të ndaluar dhunën. Policia ka bërë apel që kushdo që ka informacion ose ka qenë dëshmitar në vendngjarje të kontaktojë menjëherë autoritetet.
