Policia e Lezhës godet një tjetër rast të shpërndarjes së drogës në doza. Dy të rinj u arrestuan në flagrancë, ndërsa një 17-vjeçar po hetohet në gjendje të lirë.
Një operacion i koordinuar nga specialistët e Hetimit të Narkotikëve në bashkëpunim me forcat “Shqiponja” ka çuar në ndalimin e tre personave në zonën e Balldres, Lezhë, të cilët dyshohen se shpërndanin lëndë narkotike në doza të vogla.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar mbi një automjet tip “Volkswagen”, si dhe ndaj personave që udhëtonin me të, u gjetën sasi të ndara të lëndëve të dyshuara narkotike kanabis dhe kokainë.
Gjatë vijimit të hetimeve, policia ushtroi kontroll edhe në banesën e njërit prej tyre, ku u zbulua një tjetër sasi kanabisi e gatshme për tregtim.
Në përfundim të operacionit u arrestuan në flagrancë Leo Marku, 36 vjeç, dhe Alfred Ndreu, 19 vjeç, të dy me banim në Laç, ndërsa një 17-vjeçar u procedua në gjendje të lirë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasia e drogës, automjeti me të cilin lëviznin dhe tre aparate celularë që dyshohet se përdoreshin për komunikim dhe shpërndarje.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme, ndërsa policia njoftoi se kontrollet në territor do të vijojnë për të goditur çdo aktivitet të paligjshëm në fushën e narkotikëve.
