Një ekspeditë turistike ka çuar në një zbulim të pazakontë në Shpellën e Kopiles në Leskovik, ku janë gjetur fragmente kockash që dyshohet se i përkasin njeriut.
Në brendësi të liqenit termal që u bë i njohur disa muaj më parë falë turistëve çek, disa qytetarë shqiptarë kanë ndeshur mbrëmjen e djeshme në mbetje kockash, duke alarmuar menjëherë autoritetet.
Pas njoftimit, policia e Korçës dhe prokuroria e rrethit gjyqësor ngritën menjëherë një grup hetimor për të verifikuar origjinën dhe moshën e mbetjeve. Zona është rrethuar dhe po kryhen ekspertiza nga specialistët e mjekësisë ligjore.
Sipas burimeve nga vendngjarja, fragmentet janë gjetur në një thellësi të madhe, pranë një daljeje të ngushtë që ndodhet nën ujë. Autoritetet po hetojnë nëse bëhet fjalë për mbetje arkeologjike apo për një ngjarje kriminale të hershme.
Ndërkohë, banorët e zonës thonë se Shpella e Kopiles është e njohur prej vitesh për legjendat që e rrethojnë dhe për vështirësinë e hyrjes në të. Hetimet pritet të zbardhin detaje të tjera në orët në vijim.
