Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dha mesazhin e tij nga tubimi hapës i balotazhit për zgjedhjet lokale 2025, duke i bërë thirrje qytetarëve të zgjedhin punën dhe jo dembelizmin politik.
Në nisje të fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, Kurti përshëndeti qytetarët e 18 komunave që shkojnë në balotazh, duke theksuar se rritja e LVV në nivel lokal ka qenë e ngadaltë, por e qëndrueshme. Ai u shpreh se qytetarët tashmë e dinë kush punon dhe kush pengon zhvillimin.
“Mos votoni ata që nuk duan punën. As ata që dinë e duan vetëm vjedhjen, sepse me ta nuk ka zhvillim. Ne duam punë, transparencë dhe përparim,” tha Kurti, duke shtuar se qeveria e tij ka rritur pagat, pensionet dhe bursat për studentët, ndërsa në pushtetin lokal Vetëvendosje ka investuar më shumë se çdo administratë e mëparshme.
Kryeministri theksoi se premtimi prej 1 miliard eurosh investime në komuna do të mbahet, por vetëm për drejtues që punojnë me ndershmëri: “Nuk do të jap buxhetin e shtetit për kryetarë që nuk dinë të punojnë apo që abuzojnë me taksat e qytetarëve.”
Raundi i dytë i zgjedhjeve do të zhvillohet më 9 nëntor në 18 komuna, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Gjilanin dhe Gjakovën. Kurti u shpreh i bindur se “populli do të befasojë në balotazh” duke zgjedhur Vetëvendosjen si alternativën e modernizimit dhe punës reale.
