Udhëheqësi i përkohshëm i Sirisë, Ahmad al-Sharaa, pritet të nënshkruajë një marrëveshje për t’iu bashkuar aleancës ndërkombëtare kundër ISIS gjatë takimit me Donald Trump më 10 nëntor.
Presidenti amerikan Donald Tramp do të presë më 10 nëntor në Shtëpinë e Bardhë presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmad al-Sharaa, në një takim që do të shënojë vizitën e parë të një kreu shteti sirian në historinë e SHBA
Lajmin e ka konfirmuar i dërguari amerikan në Damask, Tom Barrack, i cili tha për median Axios se gjatë vizitës, al-Sharaa pritet të nënshkruajë një marrëveshje për t’u bashkuar me aleancën ndërkombëtare të udhëhequr nga SHBA kundër grupit ekstremist ISIS.
Sipas agjencisë Reuters, vizita është planifikuar të zhvillohet brenda dy javëve të ardhshme dhe konsiderohet një hap i madh drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Damaskut dhe Uashingtonit, pas dekadash izolimi nën regjimin e Bashar al-Assad.
Al-Sharaa, i cili mori pushtetin nga Assad në dhjetor të vitit të kaluar, ka nisur përpjekjet për të rikthyer Sirinë në arenën ndërkombëtare pas rënies së familjes që drejtoi vendin për më shumë se 50 vjet. Ai u takua për herë të parë me Trump në maj në Arabinë Saudite, gjatë një samiti të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, në atë që u pa si një takim historik mes dy vendeve pas 25 vitesh ndërprerje.
Në të kaluarën, al-Sharaa ka qenë figurë kontroverse. Ai drejtoi dikur një fraksion të al-Kaedës në Siri, por u shkëput nga rrjeti i bin Ladenit një dekadë më parë dhe më pas u përlesh me forcat e ISIS. Ai ka qenë i ndaluar nga trupat amerikane në Irak për disa vite dhe madje kishte një shpërblim prej 10 milionë dollarësh mbi kokë.
Vizita e tij në Uashington vjen në një moment delikat për rajonin, ku SHBA po përpiqet të konsolidojë paqen pas marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, si dhe të ndihmojë dialogun mes Sirisë dhe Izraelit për ndalimin e sulmeve ajrore dhe tërheqjen e trupave izraelite nga jugu sirian.
Sipas Barrack, bisedimet mes dy vendeve po ecin drejt një marrëveshjeje për de-eskalim, ndërsa SHBA po ndërmjetëson procesin. Nëse marrëveshja arrihet, ajo mund të shënojë një kthesë të madhe në marrëdhëniet mes dy armiqve historikë të Lindjes së Mesme.
