Legjenda e pankinës italiane, Xhovani Galeone, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Ai u kujtua nga Alegria dhe shumë trajnerë të njohur si frymëzuesi i një brezi të tërë.
Futbolli italian është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të Xhovani Galeones, një prej trajnerëve më karizmatikë dhe më me ndikim të dekadave të fundit. Ish-trajneri, që ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare pas një beteje të gjatë me sëmundjen, u cilësua nga shumë figura të sportit si mësues i futbollit modern në Itali.
I njohur për stilin e tij të hapur dhe filozofinë ofensive të lojës, Galeone la gjurmë të pashlyeshme në vitet ’80 dhe ’90, duke ngjitur disa skuadra nga Serie B në elitën e Serie A. Ai arriti sukses të madh me Pescarën, Udinezen dhe Peruxhian, duke fituar reputacionin e një specialisti të ringritjes së ekipeve dhe zbulimit të talenteve të rinj.
Përtej arritjeve sportive, Galeone mbetet i paharruar si mentori i disa prej trajnerëve më të shquar të brezit të ri, si Masimiliano Alegri, Gennaro Gatuzo, Gian Piero Gasperini, por edhe ish-trajneri i Tiranës, Blazh Sliskoviç, i cili nën drejtimin e tij në Pescarë u shndërrua në një ikonë të futbollit italian.
Alegria e ka cilësuar shpesh Galeonen si njeriun që e mësoi të kuptonte futbollin, ndërsa kolegët e tij e kujtojnë si një strateg brilant, me guxim për të sfiduar rregullat e zakonshme të lojës.
Me largimin e Xhovani Galeones, futbolli italian humbet jo vetëm një trajner, por një vizionar që ndikoi në formimin e një brezi të tërë profesionistësh. Kujtimi i tij mbetet i gjallë në çdo ndeshje që luhet me pasion, shpirt dhe ide, ashtu siç e mësoi ai.
