Një automjet me shpejtësi të lartë ka përplasur një vajzë në momentin që po kalonte vijat e bardha në Kamëz. Viktima është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës, ndërsa drejtuesi i makinës është ndaluar nga policia.
Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në afërsi të gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamëz, ku një vajzë e re është përplasur nga një automjet tip “Toyota 4×4” ndërsa po kalonte në vijat e bardha.
Sipas dëshmive nga vendngjarja, shoferi i mjetit po udhëtonte me shpejtësi të lartë në momentin e përplasjes. Kalimtarë të rastësishëm dhe efektivë policie që ndodheshin aty afër i kanë dhënë menjëherë ndihmën e parë të plagosurës, ndërsa ambulanca është vonuar disa minuta për shkak të trafikut të rënduar në zonë.
Vajza u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Deri më tani nuk ka një informacion zyrtar për gjendjen e saj shëndetësore, por dëshmitarë raportojnë se plagët e saj janë të rënda.
Drejtuesi i automjetit, i cili nuk është larguar nga vendi i ngjarjes, është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme. Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të aksidentit dhe nëse shoferi ka qenë nën efektin e alkoolit apo i shpërqendruar në drejtim.
Ngjarja ka ngjallur reagime të forta në zonë, ku banorët kërkojnë vendosjen e sinjalistikës rrugore dhe kufizuesve të shpejtësisë për të parandaluar raste të tilla tragjike.
