Më 2 nëntor 1935, në Ninat të Konispolit, lindi Bilal Xhaferri — poeti i shpirtit çam dhe një nga zërat më të pastër të ndërgjegjes shqiptare. I përndjekur, i ndalur dhe i ndjekur nga regjimi komunist, ai nuk u nënshtrua: u arratis nga Shqipëria për të mos heshtur dhe në mërgim krijoi revistën “Krahu i Shqiponjës”, një nga tribunat më të rëndësishme të fjalës së lirë, të çështjes çame dhe të antitotalitarizmit shqiptar. Në një kohë kur frika sundonte dhe servilizmi shpërblehej, ai zgjodhi guximin dhe e pagoi çmimin e tij.Sot e kujtojmë me nderim për qëndresën dhe besimin e palëkundur te liria dhe dinjiteti njerëzor. Ai na la fjalë që vazhdojnë të tingëllojnë si paralajmërim dhe si betim: “Diktatura është varr i mendjes dhe i shpirtit të njeriut” dhe “Servilët nuk ndërtojnë shtet, por burg për popullin dhe fron për tiraninë.” Lavdi jetës, guximit dhe penës së Bilal Xhaferrit — zë që nuk u hesht dot dhe që vazhdon të na thërrasë për drejtësi e dinjitet.
