Kirurgjia minimale invazive po kthehet në një standard të ri trajtimi për pacientët me dhimbje kronike të shpinës, duke ofruar shërim të shpejtë dhe pa anestezi të përgjithshme.
Spitali “Di Venere” në Bari është shpallur qendër referente për kirurgjinë minimale invazive të diskut vertebral, një teknikë moderne që trajton herniet dhe protruzionet, ndër shkaqet më të shpeshta të dhimbjeve të shpinës.
Në një njoftim të bërë publik nga ASL Bari, thuhet se në repartin e Neurokirurgjisë po përdoren metoda të avancuara si discolisi, radiofrekuenca dhe terapia me lazer, të cilat lejojnë trajtimin me saktësi të lartë të dëmtimeve të diskut pa pasur nevojë për ndërhyrje të hapura kirurgjikale.
Sipas mjekut neurokirurg Roberto Settembre, lazeri përdoret në temperaturë të ulët për të shkrirë në mënyrë të kontrolluar një pjesë të diskut ndërvertebral, duke ulur presionin mbi nerva dhe lehtësuar menjëherë dhimbjen. Procedura zgjat rreth 30 minuta, kryhet pa anestezi të përgjithshme dhe pacienti mund të largohet nga spitali brenda ditës.
Kjo teknikë, sipas specialistëve, është veçanërisht e përshtatshme për pacientët e moshuar ose për ata me sëmundje që e bëjnë të rrezikshëm operacionin tradicional, por po aq efikase edhe për personat e rinj që kërkojnë shërim të shpejtë, pa plagë dhe pa pasoja afatgjata.
Suksesi i metodës së re vendos spitalin “Di Venere” në një nivel të avancuar të trajtimit neurokirurgjikal në Itali, duke përfaqësuar një hap të rëndësishëm drejt një mjekësie më të sigurt, më pak invazive dhe më humane për pacientët që vuajnë nga sëmundjet e shtyllës kurrizore.
