Trajneri 33-vjeçar, më i riu në ligë, largohet pas pesë ndeshjeve pa fitore dhe thirrjeve të ashpra të tifozëve që kërkuan largimin e tij dhe të drejtuesve të klubit.
Skuadra angleze Southampton ka shkarkuar trajnerin Will Still, vetëm disa muaj pas marrjes së drejtimit të ekipit, pas humbjes 2–0 në shtëpi ndaj Preston North End. Rezultati e la klubin vetëm tre pikë mbi zonën e rënies nga Championship, duke rritur tensionin mes tifozëve dhe drejtuesve.
Atmosfera në St. Mary’s Stadium ishte e zjarrtë në fund të ndeshjes: brohoritjet ironike “Sacked in the morning” (do shkarkohet në mëngjes) u dëgjuan nga tribunat, ndërsa një pjesë e tifozëve kërkonte hapur largimin e pronarëve të klubit.
Kjo ishte humbja e pestë e Southampton në kampionat dhe ndeshja e pestë radhazi pa fitore. Deri më tani, skuadra kishte arritur vetëm dy fitore sezonale, kundër Sheffield United dhe Wrexham, një bilanc që e vendosi në situatë të vështirë.
Golat e Lewis Dobbin dhe Mads Fronkjaer-Jensen i dhanë triumfin Prestonit, ndërsa lojtarët e Southampton kërkuan ndjesë për performancën e dobët në fund të takimit.
Will Still, i cili u bashkua me klubin këtë verë dhe konsiderohej një premtim i madh për futbollin anglez, ishte trajneri më i ri në English Football League, vetëm 33 vjeç.
Në një njoftim zyrtar, Southampton bëri të ditur se drejtimin e përkohshëm të ekipit do ta marrë trajneri i U21, Tonda Eckert, deri në emërimin e një tekniku të ri.
Klubi synon të rikthejë stabilitetin pas një periudhe krizash që ka goditur si rezultatet, ashtu edhe besimin e tifozëve në menaxhimin e skuadrës.
