Docu-filmi që kombinon artin me spiritualitetin ka tërhequr mbi 280 mijë shikues në Francë, duke shndërruar një histori fetare në fenomen shoqëror dhe kulturor.
Një film francez me temë fetare ka ndezur emocionet dhe polemikat në Francë. “Sacré-Cœur, Mbretërimi i tij nuk do të ketë fund. ”, i cili doli në kinema më 1 tetor, ka tërhequr rreth 280 mijë spektatorë në vetëm disa javë, duke e kthyer besimin në një temë të gjallë diskutimi publik.
I realizuar nga regjisori Steven Gunnell, ish-anëtar i grupit muzikor “Alliage”, dhe bashkëshortja e tij Sabrina Gunnell, filmi është një docu-fiction që ndërthur dëshmi reale me elemente artistike dhe rrëfime imagjinare për fuqinë e besimit dhe rilindjen shpirtërore në kohët moderne.
Në qendër të historisë qëndron rrëfimi i Anne, një gruaje që, pas humbjes së nënës, kishte braktisur fenë, por e gjen sërish veten përmes filmit. “Kam qarë si fëmijë kur dola nga kinemaja. Çdo dëshmi më preku sikur më flisnin mua. Mbase nëna ime është në vendin e duhur”, rrëfen ajo për mediat franceze.
Suksesi i filmit ka hapur një debat të gjerë në Francë, ku laiciteti është pjesë themelore e identitetit shtetëror. Ndërsa një pjesë e publikut e sheh veprën si një akt frymëzues besimi dhe shprese, kritikët e quajnë atë një sfidë të hapur ndaj parimeve të laicitetit francez dhe një formë të evangelizimit modern në ekranet e kinemave.
Megjithatë, “Sacré-Cœur” ka dëshmuar se interesi për temën fetare në Francë po rikthehet. Me radhë të gjata para sallave dhe diskutime të gjalla në rrjetet sociale, filmi i Gunnell ka arritur të prekë një brez të gjerë, nga besimtarët e devotshëm te ata që kërkojnë kuptim shpirtëror në një shoqëri gjithnjë e më laike.
Në pak javë, “Sacré-Cœur” është shndërruar jo vetëm në një sukses kinematografik, por edhe në një reflektim kulturor mbi vendin e fesë në Francën e sotme.
