Filiali amerikan “GA Telesis” akuzon ortakët e “Air Albania” për abuzim me kontratën, shfrytëzim të paligjshëm të avionëve dhe mashtrim financiar, ndërsa hetimi pritet të përfshijë edhe “Albcontrol”-in, përfaqësues i shtetit shqiptar.

Kompania amerikane “GA Telesis”, përmes degës së saj “Gat Aircraft and Engine Leasing Limited” me seli në Florida, ka depozituar në SPAK një kallëzim penal ndaj ortakëve të “Air Albania”. Në padinë e saj, kompania akuzon përfaqësuesit shqiptarë dhe turq të linjës ajrore për shkelje kontrate, mashtrim financiar dhe mbajtje peng të dy avionëve të tipit “Airbus A320-200”.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në SPAK dhe në Gjykatën Britanike, bëhet fjalë për dy avionë me numra regjistrimi “ZA-ASM 36-76” dhe “ZA-MMK 49-34”, të marrë me qira në vitin 2023, për të cilët “Air Albania” nuk ka shlyer detyrimet për muajt janar–mars 2025. Pas skadimit të kontratës, kompania shqiptare ka vijuar t’i përdorë në mënyrë të paligjshme për fluturime tregtare, duke shmangur çdo pagesë ndaj pronarëve amerikanë dhe Euro-Control.
Pasi “GA Telesis” njoftoi ndërprerjen e kontratës, ortakët kryesorë të “Air Albania” – Sinan Idrizi dhe Sinan Isik – nuk dorëzuan avionët, por i parkun në aeroportin e Stambollit nën mbrojtjen e “Turkish Airlines”, e cila zotëron 49% të aksioneve të kompanisë.
Kallëzimi penal përfshin edhe akuza për përdorim të paligjshëm të logove dhe dokumenteve të fluturimit, ndërsa një padi civile dhe penale është regjistruar në Londër më 1 gusht 2025, me kërkesë për dëmshpërblim për shkelje të qëllimshme të detyrimeve financiare dhe abuzim kontraktor.
Burime pranë SPAK-ut bëjnë me dije se kallëzimi është regjistruar dhe hetimet paraprake kanë përfshirë edhe përfaqësues të “Albcontrol”, e cila përfaqëson shtetin shqiptar me 10% të aksioneve në “Air Albania”. Në rast se hetimi zyrtarizohet, kjo do të jetë hera e parë që SPAK përballet me një kompani të lidhur drejtpërdrejt me qeverinë.
Sipas të dhënave financiare, “Air Albania”, e themeluar në vitin 2019 si projekt strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë, nuk ka shpërndarë fitime për palën shqiptare dhe nuk ka publikuar bilancet e plota, ndërkohë që vazhdon të përballet me borxhe të shumta dhe akuza për mungesë transparence.
Kallëzimi i kompanisë amerikane ngre pyetje të forta mbi ndikimin politik dhe përgjegjësinë e qeverisë shqiptare në këtë aferë, ndërsa opinioni publik pret nëse SPAK do të nisë hetimin ndaj një prej kompanive më të përfolura që mban vulën e vetë kryeministrit Rama.

“Air Albania”, dikur simbol bashkëpunimi mes dy vendeve, po shndërrohet sot në një metaforë të korrupsionit dhe dështimit shtetëror – një kompani që fluturon me flamurin shqiptar, por me borxhet dhe hijet e një skandali ndërkombëtar që tashmë ka mbërritur në SPAK dhe gjykatat britanike./Pamfleti
