Deputeti socialist ngriti shqetësimin për mijëra invalidë që nuk përfituan nga bonusi i pranverës, ndërsa ministri i Financave deklaroi se çdo vendim do të merret në varësi të ecurisë ekonomike dhe kursimeve deri në fund të vitit.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kërkuar nga ministri i Financave, Petrit Malaj, që kategoria e personave me aftësi të kufizuara të përfshihen në bonusin e fundvitit. Braçe theksoi se rreth 50 deri në 60 mijë invalidë nuk kanë përfituar asnjë mbështetje financiare gjatë bonusit të pranverës, duke e cilësuar situatën si të padrejtë.
Në përgjigje, ministri Malaj deklaroi se përfshirja e kësaj kategorie kërkon një vendimmarrje të veçantë dhe do të varet nga gjendja financiare e buxhetit të shtetit. Ai theksoi se nëse ecuria ekonomike deri në fund të dhjetorit do të jetë në përputhje me pritshmëritë, qeveria do të shqyrtojë mundësinë e dhënies së një bonusi edhe për personat me aftësi të kufizuara përmes një akti normativ.
“Do të shohim nëse ecuria ekonomike do të jetë sipas parashikimeve që kemi deri në fund të muajit dhjetor, atëherë, bazuar edhe në kursimet që do të kemi, me një akt normativ do të vlerësojmë nëse dhe kjo kategori do të përfitojë një bonus në fund të këtij viti”, u shpreh ministri Malaj.
Pyetja e Braçes dhe përgjigjja e ministrit vijnë në prag të përgatitjeve për paketën e fundvitit, e cila tradicionalisht përfshin ndihma financiare për pensionistët dhe kategori të tjera në nevojë. Për momentin, mbetet e paqartë nëse invalidët do të jenë pjesë e kësaj skeme.
